Prag Poloni-Argjentinë, do të largohet Mesi apo Levandovski?!

Në mbrëmje vonë, Botërori mund të mbetet shumë më i varfër. Njëri nga dy prej yjeve më të mëdhenj rrezikon të kthehet në shtëpi, ndërsa në orën 20:00 në fushë dalin Polonia dhe Argjentina. Lionel Mesi e Robert Levandovski do të kenë një duel të nivelit më të lartë, dhe nëse Arabia Saudite mund Meksikën, ose njëra legjendë, ose tjetra do të eliminohet. Një mëkat i madh, por që do të jetë i merituar sido që të përfundojë, pasi sauditët e realizuan të papriturën e madhe duke mundur Argjentinën. Pikërisht skuadra nga Amerika Latina rrezikon më shumë të paktën sipas renditjes së grupit C.

Mesi me shokë do të duhet të luajnë vetëm për fitore, qoftë për të synuar vendin e parë, qoftë për të shmangur një eliminim të mundshëm nëse sauditët barazojnë apo fitojnë me Meksikën. Natyrisht, humbja do të ishte fatale për argjentinasit. E përditshmja argjentinase “Ole”: “Argjentina ndaj Polonisë me energjinë e fitores kundër Meksikës dhe me një Mesi shumë të motivuar! Të fitojmë për të shmangur Francën”.

“Do të jetë një ndeshje e fortë fizike. Polonia mbetet rivali kryesor i grupit, një ekip me mbrojtje të fortë. Nuk do të jetë e lehtë, por unë jam i lumtur nga ekipi, nga Mesi dhe nga kushdo. Na duhet fitorja”.

Polonia për momentin është e para me 4 pikë, ndonëse nuk cilësohet e favorizuar për këtë përballje. Shpresa e tifozëve polakë është që Robert Levandovski më në fund është zhbllokuar në kupat e botës, pasi realizoi në ndeshjen e kaluar ndaj sauditëve, dhe la pas zhgënjimin e penalltisë së humbur kundër Meksikës. Trajneri Çeslav Mihnieviç e ka të qartë rrezikun që vjen nga Mesi, por mbetet me shpresë.

“Mesi është një lojtar që nuk mund të ndalet, por gjithsesi ne luajmë kundër Argjentinës, jo kundër një lojtari. Mendoj se kemi shanset tona, nëse mbrohemi mirë dhe shfrytëzojmë rastet”.

“Qaj prej nesh, Argjentinë”, është titulli i të përditshmes polake. “Przheglad Sportivo”, me fotomontazh të Levandovskit dhe Mesit në kopertinë. Po në orën 20:00 është dueli tjetër i grupit, Arabi Saudite-Meksikë dhe të gjitha skuadrat kanë shanse kualifikimi, ndonëse meksikanët më pak.

Sfidanti.al