Harroni “Dorën e Zotit” të Maradonës, tani kemi “Fijen e flokut” të Ronaldos!

Në Meksikë 1986, kapiteni i Argjentinës u bë protagonist për mirë e për keq, në çerekfinalen e famshme ndaj Anglisë, duke shënuar një gol me dorë si dhe më pas golin më të bukur në historinë e botërorëve. Në atë kohë, Diego Armando Maradona u pyet për golin me dorë dhe tha se ajo ishte “Dora e Zotit”, një shprehje që ka hyrë në analet e futbollit. Sot, duket se në histori do të hyjë “Fija e Flokut” e Kristiano Ronaldos. Kjo sepse CR7-ta mendoi se kishte qenë ai autor i golit të parë të Portugalisë ndaj Uruguajit, pas harkimit të Bruno Fernandesit. Kështu edhe u shënua nga arbitri, kështu u pretendua në fushë, por mallkimi për Kristianon ishte teknologjia e Adidasit e vendosur tek topi i ndeshjes. Ajo tregoi se “fija e flokut” e tij nuk e kishte prekur sferën, ndaj goli do të quhej i Fernandesit.

Sfidanti.al