Dikush sa më shpejt duhet t’u kujtojë këtyre pasardhësve të Xhon Bullit se kur njerëzit në Katar rropateshin në 50 gradë Celsius për të mbijetuar, paraardhësit e tyre vetëm dy apo tre breza më parë kishin problem vetëm nëse çaji i orës 17:00 do të ishte i shijshëm sa duhet dhe do të pihej në një atmosferë të bukur. Kanë kaluar jo shumë kohë, pasi 70-80 vjet në historinë njerëzore janë si orët në jetën e njeriut, por disa nga përfaqësuesit e mediave angleze janë duke kaluar nga një shkallë më e lartë në tjetrën në histerinë e tyre për faktin që Katari po organizon Kupën e Botës.
Verbimi arriti kulmin (e deritanishëm) me raportimin mbi ceremoninë e hapjes së Botërorit, sesi pati vende bosh në stadium, sesi pati tifozë të Katarit që u larguan pa përfunduar ndeshjen (a thua, ndodh për herë të parë?), ndërsa u bë i tërbuar kur u përmend emri i aktorit amerikan Morgan Friman (u quajt i diskredituar) që pranoi të merrte pjesë në ceremoninë e sheikëve. Nuk u kursyen Dejvid Bekam apo Xhani Infantino dhe kjo sepse në sytë e tabloidit “Deili Meil” ata janë “tradhëtarë” të qytetërimit perëndimorë, ndërsa nuk pati epitete për këngëtarin koreanojugor Xhung Kuk apo për ish-yllin e Francës (me origjinë afrikane), Marsel Desai. Në gjithë këtë histeri që nuk e kanë aspak tifozët në Katar (madje as anglezët), dhe as shumica e mediave botërore, mungoi vetëm diçka, kërkesa që kombëtarja e Anglisë të braktisë këtë Botëror që media britanike e ka kaq zët!
Sfidanti.al