Ç’do shohim më parë në Champions: Liverpul-Real apo PSG-Bajern?!

Ishte me të vërtetë një bombë, ndonëse në këtë nivel pritet. Finalja e vitit të kaluar të Championsit do të përsëritet në raundin e dytë të këtij sezoni pasi shorti i hedhur nga UEFA në Zvicër vendosi përballë Liverpulin dhe Realin e Madridit. Anglezët, nënkampionë të Europës, do ta luajnë ndeshjen e parë në shtëpi pasi dolën në vend të dytë në fazën e grupeve. Reali mund të konsiderohet si gjithmonë favorit, por Liverpuli pritet të ketë më shumë shanse në një duel me dy ndeshje, dhe që luhet disi shpejt.

Shorti krijoi edhe dy çifte të tjera shumë të forta. Paris Sen Zhermeni do të presë Bajernin, dhe kjo është përsëritje e finales së Championsit të vitit 2020, në kohën e kulmit të pandemisë së Kovidit. Gjermanët fituan atëherë, por tashmë do të kenë punë me një skuadër që ka yje si Mbape, Mesi dhe Nejmar. E fortë edhe sfida Milan-Totenhem, një duel i shkollave italiane dhe angleze të futbollit, të cilin trajneri Antonio Konte do të jetë përballë një ekipi italian.

Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja, do të jetë përballë Dortmundit nëse do të vazhdojë të jetë tek Çelsi, dhe skuadra angleze duhet konsideruar favorite për kualifikimin. Short i pranueshëm për Mançester Siti që do ta nisë turin e dytë në fushën e Lajpcigut, ndërsa Napoli po ashtu do të ketë përballë një ekip gjerman, Frankfurtin. Ndeshjet e para do të luhen në 14-15 dhe në 21-22 shkurt, ndeshjet e kthimit në 7-8 dhe 14-15 mars të vitit të ardhshëm.

Liga e Kampionëve, shorti i raundit të dytë

Lajpcig-Mançester Siti

Klub Bryzh-Benfika

Liverpul-Real Madrid

Milan-Totenham

Frankfurt-Napoli

Dortmund-Çelsi

Inter-Porto

Paris SG-Bajern

Sfidanti.al