Legjenda Pike është mbrojtësi sublim i Barcelonës, tani pritet “presidenti Pike”!

Ka qenë shpirti i ekipit që në moshë fare të re, ka qenë edhe një emblemë e Katalonjës. Gerard Pike ishte tepër shumë katalanas për t’u bërë një spanjoll i vërtetë, edhe pse me “Furitë e Kuqe” fitoi gjithçka. Të gjitha këto kujtohen sot kur qendërmbrojtësi deklaroi se këtë fundjavë do të luajë ndeshjen e fundit të karrierës si futbollist. Në jetën e tij pati vetëm një ekip, ishte Barcelona, ndonëse me Sër Aleks Ferguson luajti disa kohë tek Mançester Junajtidi. Me të drejtë, 35-vjeçari cilësohet si më i miri qendërmbrojtës i historisë së “blaugranëve” si dhe fitues i 30 trofeve me Barçën, i lënë pas vetëm nga Mesi dhe Iniesta. “Ju e dini që unë një ditë do të kthehem në klub”, – deklaroi Pikeja në videon që lajmëronte fundin e karrierës. Tashmë, për gjithë atë që përfaqësoi, pritet që ai të synojë jo më pak se postin e presidentit.

Sfidanti.al