Në stol është një ish-lojtare e kombëtares dhe ambicie është e madhe. Tirana, e drejtuar nga Aurora Seranaj, ia doli të fitonte në mënyrë dramatike derbin e kësaj të shtune ndaj Partizanit në kampionatin kombëtar për femra. Një sukses i ndjerë për tifozët, të cilët duan triumfe ndaj rivalit të përhershëm edhe për djem, por edhe për vajza. Fitorja 3-2 bëhet edhe më e bukur sepse u arrit jashtë fushe, pikërisht në stadiumin e ri të Partizanit, në kompleksin sportiv të të kuqve në zonën e Tufinës në kryeqytet. Vendasit kaluan të parat në avantazh me golin e shënuar nga Taullaj që në minutën e 10-të, por femrat bardheblu arritën të reagonin shpejt.
Jehona Çoka shënoi dy herë brenda pjesës së parë duke përmbysur rezultatin, përkundër përkrahjes më të madhe të të kuqeve. Sidoqoftë, pas pushimit Partizani mundi të barazonte shpejt sapo kishte kaluar një orë lojë. Realizimi ishte i Locit. U duk se derbi po shkonte drejt barazit, por fare në fund ishte Rexhina Maxhalaku që i dhuroi tri pikët ekipit. Kjo për meritë personale, por edhe për gabim të portierës kundërshtare. Me këtë sukses, Tirana vazhdon ecurinë pozitive në këtë sezon dhe shpreson që të jetë rivale e Vllaznisë që fiton titullin prej vitesh. Me një trajnere si Aurora Seranaj, ish-lojtare e kombëtares dhe e Lacios në Itali, ndoshta edhe mund t’ia dalë.
Sfidanti.al