Kishte ndodhur për herë të fundit në vitin e parë të Antonio Kontes në 2011-2012 dhe asnjëherë më pas. Një Juventus që eliminohet që në grup nga Championsi nuk është diçka që mund të imagjinohet, që të ndodhë lehtë e që të “përtypet”, por kjo ndodhi dhe me realitetin do të mësohen të gjithë. Së pari, tifozët bardhezinj si dhe skuadra bashkë me trajnerin Masimiliano Alegri. Ajo së cilës ia kishin frikën të gjithë ndodhi, u humb 3-4 ndeshja në Lisbonë ndaj Benfikës që siguroi një nga dy vendet e para (tjetrin e ka në xhep PSG-ja), dhe Juvja duhet të luftojë për Ligën e Europës.
Tronditje e thellë për një trajner dhe ekip që së bashku arritën dy herë finalen e Championsit në 2015 e 2017, të ndalur vetëm në fund nga Barcelona e Reali. Duket se kjo nuk është Juvja e atëhershme, ndërsa humbjet financiare janë të rënda dhe në dyshim është projekti i presidentit Andrea Anjeli dhe drejtuesve Nedved e Arrivabene. Nuk mjaftoi barazimi 1-1 i Keanit, as fundi i vrullshëm i ndeshjes, me shifrat nga 1-4 në 3-4. Milik e Mekkeni shënuan, por pa vlerë. Ndoshta, në të ardhmen do të shohim një Juve tjetër dhe jo më kot Alegri tha pas ndeshjes se “duhet të bazohemi tek 20 minutat e fundit, dhe të kthejmë sytë nga kampionati”.
Sfidanti.al