Më në fund e thirrën që të ndihmonte skuadrën. Po afroheshin minutat përmbyllëse të sfidës në “Stemford Brixh” kur Armando Brojës iu tha trajneri Graham Poter që të bëhej gati për të hyrë në fushë. Çelsi ishte mbërthyer në barazimin 0-0 në shtëpi me Mançester Junajtidin dhe Poteri kishte shpresë se shqiptari do të ishte, siç thuhet, “asi nën mëngë”. Në të vërtetë sulmuesi 21-vjeçar kuqezi nuk zhgënjeu. Në aksionin e tij të dytë me topin, gjatë ekzekutimit të një goditjeje nga këndi, Broja detyroi mesfushorin Skot Mektominai që të shkaktonte penallti. Arbitri, që pa gjithçka fare qartë, nuk pati dyshime. Pavarësisht protestave të miqve, 11-metërshi u akordua dhe mbeti në fuqi.
Specialisti italian, Zhorginjo, nuk gaboi dhe Çelsi kaloi në avantazh. Ishte një epërsi jo edhe aq e merituar pasi Mançester Junajtidi kishte luajtur më mirë, dhe kishte qenë më pranë fitores, por goli i ishte mohuar nga portieri Kepa. Gjithsesi, gardiani spanjoll nuk ia doli të ndalonte gjuajtjen e fundit, atë të brazilianit Kasemiro, pikërisht në minutën e 4-ët shtesë. Kështu që Blutë e Londrës nuk e morën dot fitoren, pavarësisht penalltisë së fituar nga Broja dhe shënuar nga Zhorginjo. Shqiptari gjithsesi tregoi se mund të jetë përcaktues edhe kur luan vetëm 15 minuta.
Sfidanti.al