“Topi ndalon, por jo dashuria”, Riberi lajmëron largimin nga futbolli

Një lojtar i madh, një nga ata që nuk e fitoi dot Topin e Artë, dhe që për të cilët mbetet keqardhja si edhe për të tillë si Paolo Maldini, Stiven Xherrard, Ksavi apo Iniesta. Frank Riberi ishte “flamuri” i Bajernit të Mynihut për 12 vjet, në një periudhë të shkëlqyer të gjermanëve, që fituan Championsin në 2013, arritën në finale edhe dy herë të tjera në 2010 e 2012, ndërsa mori 9 tituj në Bundesligë. Po ashtu, Kupën e Botës për klubet dhe Superkupën e Europës. UEFA e shpalli një herë lojtarin e vitit në Europë.

Në moshën 39-vjeçare, me një dëmtim në gju, ai nuk mundi ta vazhdonte karrierën me Salernitanën. Pasi luajti në moshë të re në Francë, me Bulonjën, Brestin e Metcin, ai provoi Gallatasarjin në Turqi për t’u kthyer sërish në Francë tek Marseja në 2005. Pas 2 sezonesh shkoi tek Bajerni ku bëri emrin e madh. Më pas, në Itali tek Fiorentina dhe Salernitana. Në karrierë pati gjithsej 167 gola e 249 asistë në mbi 720 ndeshje. Për Francën, në 81 ndeshje pati 16 gola e 25 asistë, ndërsa në përgjithsi, Riberi ishte njeriu-asist, magjistari i krahut që ndihmonte më shumë shokët për të shënuar.

Sfidanti.al