Këtë herë u paraqit në variantin e tij më të mirë, ndoshta duke përfituar edhe nga dobësia e kundërshtarit. Partizani fitoi 4-1 në Durrës, ndaj atij ekipi që dy vjet më parë u shpall kampion i Shqipërisë, por që këtë herë është në vend të parafundit. Një sukses i tillë në kampionat është gjithnjë i rëndësishëm, për më tepër që ekipi shënoi në një 90-minutësh gjysmën e golave që kishte realizuar në 8 të mëparshmet. Hoti shënoi dy herë, Da Silva e Skuka nga një, ndërsa trajneri Kolela tha gjysmë me shaka se “duket se duhet të vijmë të luajmë më shpesh në Durrës”. Gjithsesi, pyetja më normale është se kë Partizan duhet të besojmë, atë që shkëlqeu në Durrës dhe që fitoi në Shkodër, apo atë që humbi derbin edhe në epërsi numerike dhe u ndal nga Kastrioti? Të kuqtë janë në krye, por tundje-shkundjet ia rrezikojnë vendin e parë, aq më tepër që Tirana është afër.
Sfidanti.al