Milani “i egër” fiton Derbin e Italisë, Pioli e quan fitore të merituar

Maks Alegri e parandjeu. “Milani është më i rrezikshëm pas humbjes në Champions”, tha trajneri bardhezi dhe kështu ndodhi. Kuqezinjtë fituan 2-0 dhe Juventusi duket larg garës për titull pas 9 javësh në Serinë A. Tomori e Brahim Diaz ishin autorët e golave. Nuk mund të thuhet se Juvja nuk luajti, të paktën përpjekjet i bëri. Me të vërtetë, kuqezinjtë patën 10 gjuajtje në portë ndaj 6 të miqve, por për gjuajtjet e sakta në kuadrat diferenca ishte shumë e vogël, 3-2. Po ashtu, ekipi i Alegrit e mbajti topin 61 për qind, edhe sepse u desh që të synonte barazimin e rezultatit. Gjithsesi, Milani u duk më skuadër, më e qetë dhe e organizuar, që shihej se e kishte ndeshjen në dorë.

Ishte më e vendosur në fushë, më e vrullshme. Një provë shumë e mirë pas disfatës së rëndë në Londër me Çelsin në Champions. Këtë thotë edhe trajneri Pioli.  “U kthyem skuadër, – thotë ai, – çfarë reagimi pas Londrës. Fitorja ishte e merituar. Ne punuam shumë dhe të bashkuar. Më vjen mirë që Leao luajti edhe në mbrojtje. De Keteler luajti në një pozicion që nuk është i veti, ndërsa Diaz është i shkëlqyer, edhe pse shpesh nuk i pëlqejnë zgjedhjet e mia”. Milani ka 20 pikë, po aq sa Napoli e Atalanta që nuk kanë luajtur ende, por duke u thënë se kampionët janë aty.

Sfidanti.al