Broja i shënon Uolvesit dhe Rejës, goli i parë i talentit në Premier Ligë për Çelsin!

I dinte që më parë se cilat ishin vlerat e tij, dhe absolutisht që nuk dyshonte se do të vinte dita e tij. Armando Broja e kishte treguar për kombëtaren shqiptare, Viteshen dhe Sauthemptonin talentin, madje që kur ishte 19 vjeç, dhe nuk e pati aspak problem të mbante mbi supe kritikat dhe dyshimet e trajnerit kuqezi, Edi Reja, madje diti edhe të përgjigjej. Vetëm dy ditë pasi tekniku italian i bëri kundër-reklamë duke këshilluar Napolin që të mos e merrte sepse ishte shumë individualist, Broja la shenjën e tij për Çelsin. Sulmuesi 21-vjeçar shënoi golin e parë në Premier Ligë me fanelën e Bluve të Londrës, në minutën e fundit të ndeshjes kundër Uolvesit. Fitorja në “Stemford Brixh” ishte 3-0, me gola edhe të Kai Havercit dhe Kristian Pulishiçit, ndërsa sulmuesit kuqezi iu deshën vetëm 18 minuta për të goditur, duke u aktivizuar vetëm në minutën e 72-të.

Padyshim një ditë e lumtur për shqiptarin e ri, i cili ishte përpjekur shumë këtë sezon, në mundësitë e pakta që i ishin dhënë nga trajnerët Tomas Tuhel dhe Graham Poter, por nuk ia kishte dalë të shënonte më herët. “Të gjithë po flasin për Obamejangun, por mos e nënvleftësoni Brojën”, – tha ish-ylli i Çelsit Pat Nevin duke folur për BBC-në. Futbollisti i ri përballet me konkurrencë shumë të fortë tek Çelsi, si Obamejangu, Stërlingu, Haverci, por edhe Pulishiç, dhe shpreson që goli i shënuar ta bindë trajnerin Poter që t’i japë më shumë minutazh në fushë.

Sfidanti.al