Nëse sezonin e kaluar ishte skuadër që reagonte kur goditej dhe kishte pjekurinë të fitonte ndeshjet edhe kur nuk e meritonte me lojë, tek Madridi ka ndodhur një ndryshim rrënjësor. Me gjasë, të vënë në sedër nga kritikat e vjetshme, futbollistët e Realit po japin maksimumin në fushë për të prodhuar lojë spektakolare dhe po ia dalin, por nuk po mbledhin frytet siç duhet. Jo edhe aq për pikët, sepse nuk janë keq, por sidomos për golat. Kanë shënuar 19 herë në 8 ndeshje, kur duhej të kishin shumë më tepër. Në fushën e Getafes dominuan ndeshjen, por u desh një moment “ala Santiliana” i Eder Militaos pas “kornes së përsosur” të ekzekutuar nga Modriç. Reali i Ançelotit pati 66 për qind topin në këmbë, 15 gjuajtje ndaj 6 të vendasve dhe 4 në kuadrat ndaj 2. Gjithsesi, Vinisius, Rodrigo, Valverde, Mariano Diaz dhe Asensio shënojnë pak, ndërsa Benzema mungoi. Reali ka 22 pikë në 8 ndeshje ndaj 19 të Barcelonës në 7, ndërsa fundjavën që vjen luhet “El Klasiko” në “Bernabeu”.
Sfidanti.al