Duhej të kishte qenë mbrëmja e konfirmimit. Reali i Madridit kishte qenë i pandalshëm në kampionatin spanjoll për 6 javë radhazi, por ja ku erdhi ngecja. Osasuna mori barazim 1-1 në “Santiago Bernabeu” pavarësisht golit të Vinisiusit, dhe pavarësisht se mbeti me 10 lojtarë në minutat e fundit. Gjithsesi, gabimin vendimtar e bëri Karim Benzema, që humbi 11-metërshin. Osasuna dhe sidomos portieri Sergio Herrera janë kthyer në një makth për kandidatin kryesor për fitoren e Topit të Artë këtë vit. Francezi ka humbue 3 penallti përballë këtij njeriu, ndërsa gjatë një viti ka dështuar në 5 gjuajtje të 11-metërshave.
Ndodhi në fazën e dytë të sezonit të kaluar, kur Herrera ia grushtoi topin në gjuajtjen e parë, dhe pastaj priti edhe penalltinë e dytë në të njëjtën ndeshje, ndonëse gabimet nuk kushtuan sepse Reali fitoi 3-1 dhe në fund të edicionit doli kampion. Dy gabimet e tjera të Benzemasë ishin gjithashtu sezonin e kaluar, njëri në “Bernabeu” ndaj Elçes, dhe tjetri në stadiumin e Seltës, herë duke gjuajtur jashtë, e herë duke u ndalur nga portieri. A pati dyshime trajneri Karlo Ançeloti?
“Po e mendoja këtë gjë, – tha italiani, – e kujtoj që humbi penallti në Pamplomë, por është lojtari ynë më i mirë për të gjuajtur 11-metërshat. Pati dy penallti vendimtare ndaj Sitit sezonin e kaluar në Champions dhe i realizoi”. Gabimet e Benzemasë ndihmuan rivalin më të madh të madrilenëve, Barcelonën. Katalanasit janë tani në krye të renditjes me pikë të barabarta, nga 19, por me golaverazh më të mirë, ndërsa në 16 tetor luhet “El Klasiko” në “Berbanbeu”.
Sfidanti.al