Deri tani nuk e konsiderojnë me të vërtetë titullar. Nuk po flasim për ndeshjen e fundit në Tel Aviv, ku Myrto Uzuni kishte probleme fizike dhe ishte llogaritur të mos luante fare, por kjo histori vazhdon. Sulmuesi më në formë shqiptar i momentit është mësuar shpesh t’i nisë ndeshjet nga stoli e pastaj të jetë vendimtar. Kështu ndodhi në Izrael ku shënoi golin e vetëm për kuqezinjtë, në humbjen 1-2, një rrjetë që bëri xhiron e botës dhe mori vlerësime të larta. E përditshmja spanjolle e Granadës, “Ideal” i bëri jehonë rrjetës së shqiptarit: Uzuni shënoi një gol të madh ndaj Izraelit, edhe pse luajti pak minuta! “Edhe pse Myrto Uzuni shënoi një gol të mrekullueshëm, Shqipëria nuk u ngjit dot në Nivelin A”, është komenti nga mediat hungareze.
Uzuni që ka 5 gola në 24 ndeshje me kombëtaren, ishte gjithashtu zëvendësues në miqësoren e para disa muajve ndaj Spanjës, ndërsa shënoi pas aktivizimit, edhe pse më shumë me fat. Deputeti socialist, Erion Braçe, ish-zv. kryeministër, reagoi në FB duke akuzuar se Uzuni po lihet në stol sepse nuk ka menaxher. Një sulm i pritshëm nga Braçe që është kundërshtar i presidentit të Federatës, Duka, duke e akuzuar për baste me kombëtaren. Kundër polemikave Ervin Skela, një nga ish-yjet e kombëtares, që reagoi në Instagram pas humbjes, duke shkruajtur se kombëtarja ka nevojë për mbështjetje në momentet më të vështirë. Uzuni ndërkaq deklaroi se kishte luajtur me injeksione për shkak të dëmtimit të pësuar me Granadën në Spanjë, por premtoi se jetë në fushë ndaj Islandës të mërkurën. Ndërkaq, paraqitja e kombëtares nuk u prit mirë nga tifozët, por edhe nga mjaft gazetarë sportivë të cilët kërkuan largimin e trajnerit Edi Reja.
Sfidanti.al