Përgatitjet tashmë kanë përfunduar. Kombëtarja shqiptare besohet se është stërvitur siç duhet për ndeshjen e sotme në fushën e Izraelit ku synohet vetëm fitorja. Është sfida e parafundit në grup në Ligën e Kombeve, por vjen në një moment aspak të volitshëm. Kuqezinjtë kanë 6 mungesa të sigurta si Gjimshiti, Kumbulla, Dermaku, Bare, Çekiçi e Manaj, ndërsa Uzuni nuk është në 100 për qind të formës. Trajneri Reja pritet të luajë me një skemë sërish të ndryshuar, tashmë 4-4-2, me mesfushën në formë rombi, dhe me mbrojtjen që konfirmohet me 4 lojtarë. Në stol lihen kapiteni dhe portieri Berisha, sulmuesi Uzuni dhe mesfushori i Interit, Nedim Bajrami.
Shqipëria ka vetëm 1 pikë pas humbjes 1-2 në “Arenën Air Albania” pikërisht ndaj Izraelit vitin e kaluar, dhe barazimit 1-1 në Islandë. Në të kundërt, izraelitët kanë 5 pikë dhe islandezët, 3. Shpresa për rezultat pozitiv, madje maksimal, mbetet, dhe ky është mendimi edhe i Rejës. Pesë vjet më parë, kombëtarja fitoi 3-0 në Izrael nën drejtimin e Xhani De Biazit pasi ishte mundur 0-3 në Elbasan, në eliminatoret e Kupës së Botës.
Formacioni i mundshëm (4-4-2): Strakosha – Balliu Ismajli Ajeti Hysaj – Abrashi Gjasula Asllani Laçi (Bajrami) – Broja Cikalleshi.
Sfidanti.al