Bota rrotullohet si 70 vjet më parë, Hungaria mbi Gjermaninë, Anglinë dhe Italinë!

Për herë të fundit ka qenë në vitet 50-të, në kohën e “hungarezëve fluturues” të Ferenc Pushkashit, Hidegkutit, Ciborit, Koçishit, Groshiçit e yjeve të tjerë. Ishte Hungaria e brezit të Honvedit të Budapestit, skuadra më e mirë e botës për shumë vjet dhe që bëri revolucion. Sot, një tjetër Hungari po bën histori të paktën në Ligën e Kombeve, duke qenë në vendin e parë në një grup ku është bashkë me Gjermaninë, Italinë dhe Anglinë. Një gol i Adam Salait i dha fitoren në fushën gjermane, duke mundur 1-0 skuadrën e Hansi Flikut. Pati vërshëllima për “pancerët”, që kanë fituar vetëm 2 ndeshje në 2022, kanë barazuar 4 dhe kanë humbur një. Gjithsesi, Hungaria e sotme nuk është si ajo e Pushkashit, madje as si ajo e viteve 60-të me Florian Albertin. Spektakli ia ka lënë vendin mbrojtjes së ashpër dhe shpirtit të vendosur në fushë. Ndoshta, edhe sepse trajner është një italian, Marko Rosi.

Sfidanti.al