Kemi luftën tonë në Superligë, ç’na duhen luftërat e botës!

Dikur thonim se kur puthesh me mbretin në faqe, merr ..vitamina! Në Superligë, kur puthesh me “mbretin” dhe me oborrtarët që bëjnë komandën e kampionatit, edhe mund të derdhësh gjak, edhe mund ta shpëtosh syrin me 7 qepje, por në fund të fundit, del “fitues”.. me 3 pikë! Dhe as mos guxoni të pyesni: a vlekan 3 pikë më shumë se 7 qepje? Ka nga ata, që mbajnë shifrat e kronikës së zezë,bile numërokan edhe qepjet. Janë të zot të dinë sa ka qënë rekordi i dhunës me numër qepjesh në rastet e tjera, pa e vrarë fare se kjo që ne e kamuflojmë si lojë, është edhe luftë!

E dinim se lufta ishte larg, por ne kemi luftën tonë. Ndaj kujtojmë si sot, se kur nisi lufta në Ukrainë, shefat e futbollit u dhanë futbollistëve parrulla në dorë, me mbishkrimin botëror: “ Jemi kundër luftës..” Sikur të ishim të sinqertë, do ta shkruanim ndryshe : “ Kemi luftën tonë, nuk merremi me luftërat përtej kufirit..

7 qepjet e Tedi Carës do të harrohen shpejt, se koha e sistemit punon për to.! “Magjia apo amnezia ndodhi, jo vetëm për meritë të pronarëve të dhunës, që shesin dhe e blejnë me shumicë, por edhe për meritë të vetë Partizanit në këtë rast. Edhe Partizani ka vendosur një rekord me heshjten dhe përuljen e tij..
Cara pësoi 7 qepje, kurse “demat” qepën gojën për..7 minuta, sa ishin edhe qepjet. Tamam si ajo reklama e Manushit tek Procesi, ku për 7 minuta “je i pasur”. Kësaj pyetje nuk i shpeton dot: Pse kaq i urtë Partizani i këtij sezoni? Po na kujton Partizanin e një sezoni tjetër,, kur në fund doli kampion, por me kushtin që të sillej shembullor me “mësuesit” e shkollës së kopsitur të Superligës. Shkollë që bëhet ditën “mesimi”, por fati përcaktohet natën…

Sfidanti.al