Kthimi i Uzunit ishte “hajmalia”, edhe Reja hoqi dorë nga mbrojtja me 3!

Shpresat janë rritur, edhe pse dyshimet mbeten. Myrto Uzuni duket se e ka kaluar dëmtimin dhe ka më shumë mundësi për t’u llogaritur për sfidën ndaj Izraelit këtë të shtunë në Tel Aviv. Sulmuesi më në formë kuqezi është stërvitur në mënyrë të veçuar deri ditën e djeshme, ndërsa pikërisht sot është bashkuar me grupin. Kjo nuk garanton se beratasi do të jetë i sigurt në formacion, por gjithsesi rriten shanset që të aktivizohet dhe për më shumë minuta sesa mendohej më parë. Një lajm i mirë duke pasur parasysh mungesat e shumta në ekipin përfaqësues në prag të dy ndeshjeve të Ligës së Kombeve.

Lajmi tjetër ka të bëjë me atë që trajneri Edi Reja duket se do të bëjë një ndryshim të rëndësishëm. Tekniku italian pritet të hedhë në fushë ekipin me skemën me 4 mbrojtës, ndërsa më tej duhet të jenë 3 në mesfushë, një lojtar si Bajrami si më i përparuar dhe që do të luajë prapa dy sulmuesve Broja e Cikalleshi. Të paktën, për momentin Reja ka në plan këtë dyshe ofensive. Deri tani, Reja ka luajtur gjithmonë me 3 mbrojtës. Kombëtarja vazhdon përgatitjet, ndërsa nesër niset për në Tel Aviv ku do të luajë të shtunën ndeshjen e Ligës së Kombeve.

Formacioni i mundshëm (4-3-1-2): Berisha, Balliu, Ismajli, Veseli, Hysaj, Asllani, Gjasula, Abrashi, Bajrami, Broja, Cikalleshi.

Sfidanti.al