Megi Doçi i jep shpresë Vllaznisë në Champions, ndoshta i kalon vajzat ukrainase!

Sezonin e kaluar ishin fare pranë, por pengesa ishte e madhe. Vllaznia u ndodh një hap larg fazës së grupeve në Championsin për femra, pas suksesit ndaj Ferencvaroshit të Hungarisë, ndërsa u ndaluan në plej of nga kampionia e Italisë, Juventusi. Pas fitores 1-0 në Breznicë të Malit të Zi ndaj sllovakeve të Spartakut të Mijavës, vajzat shkodranet luajtën ndeshjen e parë të raundit të dytë, apo të plej ofit. Në “Loro Boriçi” përfundoi 1-1 ndaj skuadrës ukrainase të Vorsklës së Poltavës, që më parë është njohur me emrin Zhitlobud Harkiv. Përballja, sipas kalendarit duhej të ishte luajtur në Ukrainë, por kjo nuk qe e mundur për shkak të agresionit ushtarak rus në vend.

Megi Doçi ishte autorja e golit të vetëm për kampionen e Shqipërisë në 54’, ndërsa Kravçuk barazoi me penallti për ukrainaset 12 minuta më pas. Trajneri Nikolin Leka mbetet i ekuilibruar. “Ashtu si shkoi loja, rezultati ishte i drejtë, – tha ai, – ndonëse pësuam gol në pjesën e dytë në mënyrë aksidentale me penallti. Shanset janë 50 me 50, kundërshtari është i fortë”. Për autoren e golit, Megi Doçi, ky ishte një rast i humbur. “Emocionet i pata të forta dhe jam e lumtur për golin, – u shpreh sulmuesja, – por, ne duhej të kishim fituar. Nuk jemi të kënaqura me rezultatin. Të dyja ekipet kanë shanse, ne synojmë vetëm kualifikimin”. Ndeshja e dytë Vllaznia-Vorskla e Poltavës do të luhet gjithashtu në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës javën që vjen në 28 shtator.

Sfidanti.al