Nuk janë gjëra që mund të na bëjnë shumë optimistë, por gjithsesi kundërshtarin e kanë shqetësuar. Izraeli është përfshirë në polemika dhe debate mediatike në prag të ndeshjes ndaj Shqipërisë në Ligën e Kombeve këtë të shtunë. Ekipi hebraik, që fitoi me meritë 2-1 në “Arenën Air Albania” në përballjen e mëparshme në grupin e nivelit B, po përballet me kritika. Njëra prej tyre lidhet me lënien jashtë skuadre të sulmuesit 35-vjeçar, Eran Zahavi, i cilësuar si një legjendë në Izrael, me 33 gola në 70 ndeshje në ekipin përfaqësues. “Një lojë egosh në kurriz të futbollit izraelit”, – kritikon e përditshmja e njohur “Jeruzalem Post”, që e cilëson absurd faktin që trajneri Alon Hazan e la Zahavin jashtë kombëtares për faktin se ai dëshironte të kishte dhomën e tij personale në hotel. Kjo, sipas gazetës ka qenë diçka normale për shumë vjet dhe nuk dihet se përse u bë problem tani. Zahavi ka qenë titullar në kombëtare për herë të fundit nëntorin e kaluar, ndërsa i ka shënuar Shqipërisë në eliminatoret e Kupës së Botës në nëntor të vitit 2016.
Gjithsesi, një polemikë tjetër lidhet me thirrjen në ekip të mesfushorit Omar Acili, që luan për Makabin e Haifës në kampionatin izraelit. Futbollisti më i mirë i ligës vendase u përjashtua në 2020 nga kombëtarja, i akuzuar për marrëdhënie intime me një minorene 15-vjeçare bashkë me një lojtar tjetër. Gjyqi e mbylli çështjen me arsyetimin se ata nuk e dinin se vajza ishte 15 vjeç, por e përditshmja tjetër e njohur, Harec, shkruan se kjo nuk është e vërtetë. Kjo gazetë i referohet Kanalit 13 televiziv në Izrael, që botoi të dhëna se ata e dinin moshën e vajzës. Skandali është i madh këto ditë dhe shoqatat për të drejtat e grave dhe vajzave kërkojnë përjashtimin e Acilit nga ekipi, diçka që nuk duket se do të ndodhë. Mesfushori 29-vjeçar ishte në stol në ndeshjen e parë me Shqipërinë në Tiranë.
Sfidanti.al