Kush shkarkohet me shpejt në Serinë A, Inzagi apo Alegri?!

Në bursën e trajnerëve gjithnjë ka parashikime, “thashetheme” dhe parandjenja. Kur vjen puna te ky sezon i Serisë A nuk ështe e nevojshme të kesh nuhatje shumë të hollë për të kuptuar se dy njerëz të stolit si Masimiliano Alegri dhe Simone Inzagi i kanë punët keq. Trajnerët e Juventusit dhe Interit po kalojnë një periudhë shumë të vështirë. Inzagi u bombardua me kritika dhe tallje në rrjetet sociale pasi Interi u mund 1-3 në fushën e Udinezes. “Fajtori i parë jam unë, – deklaroi pa mëdyshje tekniku zikaltër, – Udineze ishte më mirë se ne dhe e meritoi. Një humbje që na dëmton shumë, edhe pse mund ta marrim veten. Më vjen keq sepse skuadra jep gjithmonë maksimumin, por pësojmë shumë gola. Dhurojmë shumë goditje nga këndi, duhet të shërojmë plagët dhe të ringrihemi. Çështja e titullit nuk është e mbyllur”. Përsa i përket Alegrit, edhe ai ka trysni të madhe, përtej faktit se Juventusi ka dëmtime. “Zonja e Vjetër” po zhgënjen dhe natyrisht tekniku është në shënjestër. Rrezik eliminimi në Champions, shëmti në Serinë A. “Do të ishte çmenduri të hiqnim trajnerin tani”, – thotë drejtuesi Arrivabene, por edhe durimi i klubit do të ketë një kufi.

Sfidanti.al