Me të drejtë cilësohet momenti i jetës. Për një sportist, medalja e artë botërore është një kulm i karrierës, dhe diçka të tillë e bëri Zelimhan Abakarov. Mundësi 29-vjeçar me kombësi çeçene, dhe ish-përfaqësues i Rusisë, i dha vetvetes dhe Shqipërisë medaljen e parë të artë në histori, ndërsa triumfoi në finalen e peshës deri 57 kg në stilin e lirë, në tapetin e vendosur në Arenën e Beogradit. Disa orë pasi dominoi sfidën ndaj rivalit amerikan Tomas Patrik Gilman, “Ishte një ëndërr e madhe e imja që të fitoja titullin e kampionit të botës, – thotë Abakarovi, – Jam shumë i lumtur që më në fund ia arrita të merrja medaljen e artë në një turne të tillë, dhe padyshim që ishte mjaft e vështirë. Punova fort për shumë vjet për të realizuar një gjë të tillë dhe dua të falenderoj të gjithë kombin shqiptar, të gjithë tifozët shqiptarë. Dua të falenderoj presidentin e Federatës së Mundjes, dhe të gjithë ata që më mbështetën. Dua t’i uroj shqiptarëve çdo të mirë”.
Gjithsesi, sado e madhe që të jetë fitorja, ajo nuk mund të jetë përfundimtarja. Në moshën 29-vjeçare, Abakarovi ka përpara vetes gjithë kohën e duhur për të arritur triumfe të tjerë, ndoshta edhe më të mëdha. Ai e premton një gjë të tillë, ndërsa tregon se çfarë është për të medalja e artë botërore. “Jam shumë krenar që arrita ta fitoj këtë medalje të artë për Shqipërinë, natyrisht edhe për veten time, për trajnerin dhe familjen time, – u shpreh ai, – Kjo ishte medalja e parë e artë në karrierën time dhe në gjithë historinë e mundjes shqiptare. Karriera ime për Shqipërinë vazhdon dhe unë kam plane për të ardhmen. Tashmë, synimi im është që të fitoj medalje të tjera, në kampionatet europiane, por sidomos në Lojrat Olimpike. Ju falenderoj shumë”.
Abakarovi fitoi me amerikanin Gilman me rezultatin 7-2, ndërsa ajo që ndodhi në Arenën e Beogradit nuk kishte ngjarë kurrë më parë për Shqipërinë. Më herët mundësit e natyralizuar u shpall kampion i Mesdheut këtë vit, ndërsa me fanelën e Rusisë fitoi medaljen e artë në në Kupën e Botës në 2019.
Sfidanti.al