Halandi pret Dortmundin në Angli, Borusia: Shpresojmë të mos na shënojë gol!

Emocioni nuk do të jetë aq i madh sa dje. Erling Halandi, një bir i Dortmundit për 2 sezone, do të jetë sot përballë Borusias veçse në Angli, dhe jo në Gjermani siç i takoi të martën Robert Levandovskit. Në pamje të parë, gjigandi norvegjez ishte i qeshur në stërvitjen e fundit me Mançester Sitin përpara sfidës së sotme në Champions në orën 21:00 në stadiumin “Etihad”. Gjithsesi, 22-vjeçari ka kujtime të shkëlqyera nga Dortmundi dhe stadiumi “Signal Iduna Park”, sidomos nga tribuna që cilësohet “Muri i Verdhë” për ngjyrën e fanelave të tifozëve. Halandi shënoi 86 gola në 89 ndeshje tek Borusia, një arritje ndoshta e papërsëritshme, ndërsa ndarja nga shokët e ekipit majin e kaluar ishte shumë emocionale.

Trajneri i Sitit, Guardiola u pyet nëse sulmuesi foli me të si shok për ndeshjen. “Të flasë me mua si shok nuk është fjala e duhur, – tha Pepi duke qeshur, – ne kemi folur në përgjithësi, jo për këtë ndeshje. Nuk ka pasur ndonjë gjë të veçantë. Në të vërtetë, ne flasim për gjëra të tjera. Ndërkaq, nuk di të them nëse Erlingu do të jetë diferenca jonë këtë vit në Champions”. Dortmundi, nga ana tjetër, bëri përgatitjen e fundit në prag të sfidës me Sitin. Padyshim që gjermanët nuk janë të lumtur që do ta ketë përballë në fushë gjigandin, ndonëse trajneri Edin Terziç thotë ndryshe.

“Natyrisht që ne jemi të lumtur që ta takojmë sërish Erlingun, – tha boshnjaku, – ne jemi shumë të kënaqur sesi ai e ka prezantuar veten në fushë dhe jashtë saj, kur ishte në ekipin tonë. Ai bëri shumë për Dortmundin, ndërsa po ashtu ka një fillim të shkëlqyer me Sitin, gjë që nuk është se na habiti. Gjithsesi, shpresojmë të mos shënojë kundër nesh”. Halandi është përshtatur vërtet shpejt në Angli, duke shënuar 10 gola në 6 ndeshje, me dy rrjeta ndaj Seviljes në Champions.

Sfidanti.al