“Beteja në Alianc” ndaloi dhe “përgjaku” Juventusin!

Një barazim që prish punë edhe pse reagimi i bardhezinjve ishte ai i duhuri. Beteja në “Alianc”, Juventus-Salernitana në Serinë A, përfundoi me 4 “viktima” pasi Milik, Kuadrado dhe Alegri u përjashtuan me të kuqe për vendasit dhe Facio për miqtë. Gjithçka pas një goli të anuluar të Arkadiush Milikut në minutën e 95-të, rrjetë që mund t’i kishte dhënë fitoren me përmbysje juventinëve. Pas dy minutash, arbitri e anuloi me ndihmën e VAR-it dhe pas kësaj shpërtheu sherri që solli 3 nga kartonat e kuq. Milik, ndërkaq, u përjashtua sepse mori të verdhën e dytë pasi shënoi golin.

Ndeshja ishte krejtësisht e pazakonshme për standardet e Serisë A, ku zakonisht ekipet e mëdha nuk i humbasin fitoret, por Salernitana hyri në fushë me mendje tjetër. Ekipi i vogël jugor kryesoi 2-0 me autorë të rrjetave të Kandrevës e polakut tjetër, Piontek. “Zonja e Vjetër” barazoi me mbrojtësin brazilian Bremer dhe me kapitenin Bonuçi në 93’ pasi e humbi penalltinë, por pastaj e ktheu topin në rrjetë. Ky barazim bën që Juvja të mbetet në 10 pikë me vetëm 2 fitore e 4 barazime (por, pa humbje), 4 pikë prapa Napolit, Atalantës e Milanit. Kampionati është gjithsesi i hapur.

Sfidanti.al