Nuk mjafton që janë në fund, por humbasin edhe njeriun e stolit. Futbollistët e Kukësit do të duhet të punojnë që tani e tutje me një trajner tjetër sepse Skënder Gega dha dorëheqjen. Tekniku që mori detyrën në verë vendosi të largohej pas rezultateve negative në javët e para të Abisnet Superligës, me vetëm 2 pikë në 4 ndeshje, duke qenë në vend të fundit të renditjes. Klubi verior e konfirmoi ikjen e tij, ndërsa 51-vjeçari falenderoi klubin dhe presidentin e nderit, Safet Gjici, ndërsa sipas faqes zyrtare deklaroi se ky ishte vendimi më i mirë për t’u marrë.
Kjo është hera e dytë që Gega largohet nga Kukësi, ndërsa kjo ndodhi edhe në dhjetor të vitit 2020, pas humbjes së rëndë 1-4 ndaj Partizanit në “Elbasan Arenë”. Duken të largëta ditët kur ish-futbollisti i Partizanit ishte në kulmin e karrierës duke u shpallur kampion i vendit pikërisht me të kuqtë në 2019, duke i dhënë fund një pritjeje 26-vjeçare. Sa për Kukësin, shqetësimi është i madh për formën e dobët dhe rezultatet negative që rrezikojnë edhe statusin e ekipit të elitën e futbollit shqiptar. Me 19 lojtarë të larguar dhe 18 të afruar, është e qartë se ky lloj “transfuzioni” do të kishte pasoja.
Sfidanti.al