Armando Broja si “vrasës” trajnerësh, në Angli thonë se ai “e hoqi” Tomas Tuhelin!

Paska qenë tepër i rëndësishëm. Armando Broja po del si njeri që vendos fatin e trajnerit tek Çelsi, diçka që as ai vetë, dhe as tifozët e mediat shqiptare nuk e kishin menduar. Kjo është të paktën ajo që tregojnë të përditshmet angleze, që shkruajnë se përplasja për të ardhmen e sulmuesit kuqezi ishte një nga arsyet kryesore që Tomas Tuhel u shkarkua nga Blutë e Londrës. Sipas prestigjiozes “Gardian” (The Guardian), trajneri gjerman ishte gati ta largonte Brojën, duke gjykuar se nuk ishte ende gati për ekipin e parë të Çelsit, dhe do të pranonte nëse Uest Hemi do të jepte mbi 35 milionë euro. Gjithsesi, ishte pronari Tod Boehli që vendosi veton.

Miliarderi amerikan ka planin që të mbajë lojtarët e rinj të dalë nga akademia dhe t’u japë kontrata afatgjatë. Kjo bëri që Çelsi të rinovonte me Brojën për 6 vitet e ardhshme deri në 2028, ndërsa në foto shihet qartë lumturia e shqiptarit dhe e amerikanit. Gjithsesi, Tuheli tashmë nuk është më në stolin e bluve të Londrës pas disfatës në Kroaci, në Champions ndaj Dinamos së Zagrebit. Tashmë pritet të shihet se çfarë roli do të ketë Broja me trajnerin e ri Graham Poter. Anglezi, që vjen nga Brajtoni, njihet si teknik i futbollit sulmues dhe që përkrah lojtarët e rinj. Shpresa është që ylli i ri kuqezi të aktivizohet më shumë sesa me Tuhelin, dhe Poteri do të ketë për këtë gjë edhe përkrahjen e pronarit amerikan të Çelsit.

Sfidanti.al