Donçiç “jashtëtokësor” ndaj Francës, por rekordin e tij europian nuk e lejoi … Shqipëria

Në 1957, një lojtar jo aq shumë i famshëm shënoi 63 pikë në një ndeshje të kampionatit kontinental të basketbollit. Edi Terrejs (Terrace) i Belgjikës ia doli në një ndeshje ndaj kombëtares së basketbollit të meshkujve të Shqipërisë, një sfidë që në atë kohë ishte krejtësisht e njëanshme sepse për kuqezinjtë ende nuk kishin dalë Agim Fagu, Vaso Shaka, Kujtim Kasmi, Papavangjeli, apo Renato Radoja. Në Eurobasketin 2022 po shkëlqen një lojtar tjetër, por të cilin e njohin të gjithë. Luka Donçiç ishte në formë “jashtëtokësore” për Slloveninë ndaj Francës duke shënuar 47 pikë. Në një sistem si ky i basketbollit europian, me 40 minuta dhe me lojë disi më taktike (edhe pse ka ndryshuar), kjo është një provë e jashtëzakonshme, gati sikur të shënosh të paktën 60 pikë në NBA. Donçiç pati edhe 7 topa në tabela e 5 asistë, ndërsa Sllovenia fitoi 88-82 duke dalë në vend të parë në grupin e saj.

Sfidanti.al