Prag Inter-Bajern, a do të fitojnë më në fund italianët në “San Siro”?!

E vërtetë, e kanë fituar sfidën më të rëndësishme ndaj këtij rivali, por këtë herë është ndryshe. Nuk luhet në fushë asnjanëse, as në Mynih, por në “San Siro” të Milanos, ku paradoksalisht Interi nuk ia del kurrë ndaj Bajernit. Një duel i tillë klasik rikthehet sonte në orën 21:00, në ndeshjen e parë të grupit në Champions dhe gjermanët jepen favoritë që do të triumfojnë siç bënë në 2006 me fitoren 2-0 dhe në 2011 në suksesin tjetër 1-0. Apo siç ndodhi në dhjetor 1988 kur triumfuan 3-1 duke u kualifikuar në mënyrë të pabesueshme në Kupën UEFA pas humbjes 0-2 në Gjermani. Interi, ndërkaq, nuk ka humbur asnjëherë në Mynih, por kjo është një histori tjetër.

Zikaltërit e trajnerit Inzagi për më tepër e përgatitën këtë ndeshje me moral vërtet më të ulët se normalisht. Atmosfera në kompleksin stërvitore në Pinetina ishte e rëndë pas disfatës ndaj Milanit. Për më tepër, Romelu Lukaku mungon për shkak dëmtimi, ndërsa disa lojtarë nuk janë dukur në formë si Bastoni, De Vraj, Çalhanoglu apo edhe Barela. “Është shumë e rëndësishme, – thotë Inzagi, – e dimë se tifozët do të jenë mbështetje e madhe për ne. E dimë kundërshtarin që kemi përpara. Mendoj se kjo ndeshje ndaj Bajernit duhet të jetë një rast për të reaguar përpara tifozëve, sepse vjen menjëherë pas zhgënjimit në derbi. Përsa i përket formacionit kam mjaft dyshime. E dimë se duhet të marrim 10 pikë në këtë grup, shumë më e vështirë se vjet, por jemi Interi”.

Bajerni gjithashtu nuk është në momentin më të mirë, por sërish cilësohet favorit.

Dy barazimet radhazi në Bundesligë sikur e kanë lëkundur disi besimin e patundur te bavarezët, por forca e skuadrës së trajnerit Nagelsman njihet mirë. Bajerni nuk ka mungesa të rëndësishme, me Goreckën të kthyer në ekip, ndërsa Mane, Musiala apo Tomas Myler duken në formë.  “Interi do të jetë një rival i fortë, – tha gjermani, – të mos mendojmë se do ta kemi të lehtë, përkundrazi. Interi nuk do të rrijë vetëm në mbrojtje, do të na sulmojë. E pres me kënaqësi këtë ndeshje në këtë stadium. Nuk kam qenë kurrë më parë në “San Siro”. Sfida nuk është vendimtare, por dua që ta nisim mirë”. Parashikimet janë për një fitore të Bajernit, por gjithsesi mund të ndodhë që Interi të fitojë më në fund një herë në fushën e vet.

Sfidanti.al