Champions, Reali dhe Siti si “ortek”, Milani e Juventusi si “gjysmakë”!

Përfundon me shumë gola raundi i parë i ndeshjeve në grupe për Ligën e Kampionëve. Përtej fitores së madhe të Dinamos së Zagrebit ndaj Çelsit (1-0) dhe asaj të Dortmundit 3-0 në Gjermani kundër FC Kopenhagenit, në mbrëmje pati përshtypje të tjera. Kampionia në fuqi e Europës, skuadra e Realit të Madridit, nuk e pati problem ambientin e zjarrtë në “Sëlltik Park” ndaj Sëlltikut vendas dhe dëmtimin e Karim Benzemasë. Fitore 3-0 e spanjollëve në Skoci me gola të shënuar nga Vinisius, Modriç dhe Hazar. Edhe më i fortë u duk Mançester Siti që shkatërroi Seviljen në Spanjë 4-0. Vazhdon “pikiada” e skuadrës së trajnerit Unai Emeri pas “dajakut” nga Barcelona, dhe për Sitin shënuan dy herë Halandi, dhe nga një herë Fil Foden e Ruben Dias.

Të pafuqishme skuadrat italiane, ndonëse Milani e “shpëtoi lëkurën” në Austri, ndërsa Juventusi siç edhe pritej u mund në Francë nga Paris SG. Në Salcburg, kuqezinjtë dolën 1-1 pas golit shumë të bukur të shënuar nga sulmuesi Noah Okafor për vendasit, dhe barazimit të Aleksis Selemekersit në 40’. Në fund, Leao goditi shtyllën, por pa siguruar fitoren, ndonëse për Milanin është rezultat i pranueshëm. Juventusi u mund 1-2 nga PSG në “Parkun e Princave”, me një pjesë të parë tmerrësisht të keqe. Vendosën dy golat e Kilian Mbapesë në 5’ dhe 22’. Pas pushimit, italianët shkuartuan diferencën me Mekkenin, por nuk mjaftoi. Në tërësi duhet thënë se Juvja luajti më mirë sesa pritej dhe në 90’ nuk ishte shumë më poshtë.

Grupi E: Dinamo Zagreb-Çelsi 1-0, Salcburg-Milan 1-1. Dinamo 3 pikë, Salcburgu 1, Milani 1, Çelsi 0.

Grupi F: Sëlltik-Real Madrid 0-3, Lajpcig-Shahtar Donjeck 1-4. Shahtari 3 pikë, Reali 3, Lajpcigu 0, Sëlltiku 0.

Grupi G: Dortmund-FC Kopenhagen 3-0, Sevilja-Mançester Siti 0-4. Siti 3 pikë, Dortmundi 3, FC Kopenhagen 0, Sevilja 0.

Grupi H: Benfika-Makabi Haifa 2-0, Paris SG-Juventus 2-1. Benfika 3 pikë, Paris SG 3, Juventusi 0, Makabi 0.

Sfidanti.al