Nuk dihet nëse do të kthehet sërish në këtë Arenë. Po flasim për njërën nga legjendat më të mëdha të tenisit, Rafael Nadalin, i cili nuk mundi të mbijetonte në US Open përtej raundit të katërt. Fenomeni spanjoll, rekordmen botëror me 22 tituj në Grand Sleme, do të duhet ta kërkojë në Australi titullin e 23-të, pasi këtë herë u mund nga amerikani Frensis Tiafou. Në moshën 36-vjeçare, dhe me probleme fizike gjatë gjithë verës, ai nuk përballoi dot rivalin 12 vjet më të ri, që fitoi 3-1. Setet ishin 6-4, 4-6, 6-4 e 6-3. Si shpjegohet që Rafa në fund thuajse u dorëzua? Me gjasë, vitet mbi supe po ndikojnë, por sidomos dëmtimet që thuajse e detyruan ta mbyllte karrierën vitin e kaluar. Në këtë nivel nuk ia del nëse nuk je në 100 për qind.
“Diferenca ishte shumë e thjeshtë për t’u thënë, – tha spanjolli, – unë luajta keq, ndërsa ai luajti më mirë se unë. Unë nuk isha në gjendje të mbaja një ritëm të lartë tenisi për një kohë të gjatë. Nuk ishte aq i shpejtë sa duhej në lëvizjet e mia, ndërsa ai arriti më shpesh se unë tek topi. Tenisi është një sport i pozicionimit, duhet të jesh shumë i shpejtë për t’ia dalë, duhet të jesh edhe pak më i ri, por unë nuk jam. Përgëzime rivalit. Unë duhet të punojë fort dhe do të kthehem kur ta ndjej veten gati fizikisht dhe mendërisht.” Kjo ishte humbja e parë e legjendës spanjolle në një ndeshje të Grand Slemit që nga gjysmëfinalja e Rolan Garosit në 2021 ndaj Novak Gjokoviçit. Do të thotë pas 22 fitoreve radhazi, ndërsa karriera e tij është sërish në dyshim, ashtu si edhe rekordi botëror me 22 Grand Sleme. Gjokoviç ka 21, ndërsa pritet që të kthehet në Australian Open.
Sfidanti.al