Të papërmbajtshme mediat kroate, dhe me kokën ulur e të turpëruara të përditshmet dhe faqet sportive angleze. Gjithçka me të drejtë pasi Dinamo e Zagrebit realizoi të papriturën më të madhe në Ligën e Kampionëve duke mundur Çelsin 1-0. Nisi me sensacion faza e grupeve dhe kjo ndodhi në stadiumin thuajse të rrënuar “Maksimir”, ku nga 40 000 vende, UEFA lejon vetëm 20 000 spektatorë, aty ku Skënderbeu i Korçës një herë u mund dhe një herë barazoi për t’u kualifikuar në 2017. Çelsi doli më keq se skuadra shqiptare, ndonëse nuk bëhet fjalë për eliminim.
Mislav Orshiç shënoi golin e vetëm të ndeshjes në 12’, dhe ekipi anglez i trajnerit Tomas Tuhel e kishte të gjithë kohën e nevojshme, por nuk arriti as që të barazonte ndonëse pati epërsi në lojë. Armando Broja u aktivizua në 59’ në vend të sulmuesit tjetër, Obamejang, por as ai nuk e ndihmoi dot ekipin të paktën për të shmangur humbjen.
Dinamo-Çelsi 1-0
Stadiumi “Maksimir”. Shikues: 20,607. Gjyqtar: Ishtvan Kovaç (Rumani)
Dinamo (3-5-2): Livakoviç – Ristovski, J. Shutalo, Periç – Moharrami (Lauritsen 76’), Mishiç, Ivanushec, Ademi (Baturina 88’), Ljubiçiç – Petkoviç (Drmiç 90’+8), Orshiç (Shpikiç 76’).
Çelsi (3-4-3): Kepa – Fofana, Kulibali, Azpilikueta (Zijeç 46’) – Xhejms, Kovaçiç (Zhorginjo 59’), Maunt, Çiluell (Kukureja 71’) – Stërling (Pulishiç 75’), Haverc, Obamejang (Broja 59’).
Sfidanti.al