Milani është sërish “Zot i Derbit”, Interin “e vrasin” golat e Leaos!

Duket se në kampionat kësaj ndeshjeje ia kanë marrë dorën. Edhe pse derbi i Madoninës ishte i vështirë deri në fund, sërish Milani ia doli të merrte fitoren si dhe një nxitje të madhe morale. Përfundoi 3-2 në “San Siro”, ku për fat të keq mesfushori i kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani nuk luajti asnjë minutë dhe mbeti në stolin zikaltër. Rafael Leao u tregua i shkëlqyer me dy golat e shënuar, si dhe me talentin e tij që e shqetësoi gjatë gjithë kohën mbrojtjen kundërshtare, ndërsa Olivie Zhiru e tregoi veten sërish njeri të ndeshjeve të mëdha. Milani pati forcën morale të përballonte goditjen e golit të pësuar, dhe pastaj të ndalonte sulmet e Interit që kërkoi barazimin deri në fund. Ekipit të Inzagit nuk i mjaftuan golat e Brozoviçit dhe Xhekos.

Zikaltërit sërish treguan thyeshmërinë psikologjike në një ndeshje të madhe, siç ndodhi në përballjen me Lacion në kryeqytet që e humbën 1-3. Mungesa e Lukakut padyshim që ndikoi, por është e pamundur që një ekip që lufton për titull dhe që ka sulmues të tjerë si Lautaro, Korrea apo Xheko, si dhe ka stolin me alternativa të rëndësishme, të ndjejë kaq shumë mungesën e një ylli. Milani u duk më shumë në fushë, dhe jo vetëm sepse luante në fushën e vet, pra me shumicën e tifozëve në favor. Në Itali e kanë vlerësuar lart filozofinë e trajnerit Pioli që arrin të prodhojë lojë, edhe pse fama e lojtarëve që ka në fushë duket sikur nuk krahasohet me ata të Interit.

Kuqezinjtë mbajtën topin shumë më tepër dhe sidomos dolën më mirë në sulm, duke provuar 17 gjuajtje ndaj vetëm 6 të kundërshtarëve. Nga ana tjetër, Simone Inzagi është cilësuar si më “trapatoniani” i trajnerëve italianë sot për sot, që do të thotë më shumë i prirur nga loja pragmatike e më pak drejt spektaklit. Gjithsesi, shqetësimi është i madh sepse Interi vjet luante shumë më mirë dhe dominonte ndeshjet, edhe pse shpesh gabonte. Këtë sezon po ndodh ndryshe, edhe pse në fund në fushë ishin 3 sulmues. Milani kryeson renditjen e Serisë A me 11 pikë në 5 ndeshje, ndërsa Interi ka 9.

Sfidanti.al