Presidenti na çoi në Europian ,po ne.. do ta çojmë në  UEFA?

Nëse topi do të kishte gojë, atëherë do të dëgjonim këto fjalë të cilat nuk do të na pëlqenin dhe aq shumë: “  Ai e ka bërë te vetën, qoftë edhe duke mëkatuar, duke iu çuar në Europian edhe pse nuk e meritonit.  Po ju, çfarë do të bëni që ai të futet në UEFA?”  Të gjithë e dinë se presidenti Duka po marshon  i vetëm  nëpër Europë, prej javësh, aq sa nuk dihet data e kthimit. Po të gjithë tregohen të pafuqishëm për ta ndihmuar, madje me krenari  vetngushellohen kështu: “ E ka kopsitur vetë ai, sepse ndryshe nuk do të tregonte publikisht kandidaturën e tij”. Ka një logjikë që pranohet në këtë mes, por loja zyrtare nuk ka skema të përcaktuara, është tejet e pabesë , sa duket tepër  naiv për ta sllogani  i fushës “fair play”.  Kur luajnë shefat,  dueli është më i pabesë  edhe se vetë pokeri, ku kundërshtarit mund t’ia lexosh letrat nëpërmjet syve. Këto ditë, presidenti Duka ka takuar shumë presidentë të qeshur, që të betohen për ndihmë  dhe ta dredhin pa pikë turpi në minutën e fundit. Ajo minuta që pagëzohet “ XXL”, ngaqë mban peng tërë historinë e ndeshjes në fushë, por dhe të asaj jashtë fushe.

Nuk mjafton ky hall i madh, fuqiploti  duhet të merret edhe me hallet që vijnë nga kampionati,  edhe pse  testamentin e javëve ia  ka besuar “rojeve zvicerane” që kujdesen për mosdevijim skenari. Sa më shumë zhytet ai në Europë  në kërkim të votës, për të cilën nuk mjaftokan as dhuratat, aq më zi vijnë lajmet nga Superliga e dreqit. Diku i thonë se  ka lajthitje të presidentëve, saqë po nxjerrin sheshit  ato që nuk thuhen, me një fjalë po shkelin betimin.  S’ thonë kot se po iku i zoti larg pronës, të tjerët harbojnë dhe u duket vetja si pronarë. I kanë prishur humorin shefit, sa ka dashur të ndalojë misonin e madh, i cili pritet të jetë kulmi i lavdisë personale, pikërisht kur vartësit i kanë çuar njoftimin  se “  populli i mbetur në stadiume  e di qysh  para ndeshjes se cili ekip fiton,  madje ta thonë në kokë  edhe emrin e futbollistit që do të bëjë golin e fitores..”

Sikur ta dinin në UEFA se deri ku shkojnë plagët e futbollit  tonë, duke nisur  nga fëmijët e deri tek burrat e Superligës,  do të ishte një mrekulli e paparë dhe e padëgjuar, nëse shefi ynë do  të futej  midis 8-shes europiane të futbollit. Duket si amoralitet, por nuk është kaq i pastër sa shtiret sporti  që ka hutuar mbarë botën.  Le të besojmë  se dhe nga futbolli i sëmurë mund të lindin individë të fortë, që edhe pse nuk e japin dot më të mirën në vëndin e tyre,  madje të ofrojnë dhe të kundërtën,  në UEFA  pritet të shkëlqejnë për cilësi të tjera.  Shefi i ri, Ceferin, paska borxhe të mëdha ndaj atyre që e kanë votuar dhe kjo nuk është pak për gjithë ata që e futën dorën në allçi.  Kjo shpresë mban gjalllë edhe zyrtarin tonë.

Siç komandon Duka  votat e anëtarëve kur bëhet Asambleja jonë, sipas një trafiku   të kurdisur e të qepur me mjeshtri,  kjo do të jetë skema dhe magjia e Ceferinit,  i cili po jep prova bujarie edhe më shumë se Platini. Pse do të thoni ju. Sepse  UEFA  na dënon në sy të tërë Europës për një vit, por edhe pse e di fort mirë  në  çfarë bataku   po shkon gara e topi në token tonë, prapëseprapë, ka zemrën e madhe ta lejojë presidentin tonë të konkurrojë.Madje dhe  diçka më shumë, t’i premtojë se në minutin e fundit do të ketë..gol.

 

Gëzim Sinemati