Cilat janë arsyet që Premier Liga shpenzoi 2 miliardë paundë për blerjet?!

Edhe në Angli ka një lloj habie për këtë shpërthim të jashtëzakonshëm që solli thyerjen e rekordit të stinës së verës me mbi 25 për qind. Nga 1.47 miliardë paundë stërlina në mbi 2 miliardë, është një diferencë e madhe, pra edhe arsyet apo shkaqet duhet të kenë qenë të forta. Analistët theksojnë se ndikim të madh në shpenzimet kishin pronarët e rinj si Tod Boehli i Çelsit, sauditët e Njukasëllit apo miliarderi Marinaqis tek Notingem Foresti. Çelsi shpenzoi 315 milionë euro, Notingemi arriti në 160 milionë me 21 blerje, Njukasëlli mbi 140 milionë euro, Uolvesi 140 milionë, apo Uest Hemi 180 milionë, pra edhe klubet e vegjël nuk janë kursyet. Përtej pronarëve të rinj, ndikon rritja e të ardhurave që këtë sezon pritet të jetë 6 miliardë paundë stërlina, në krahasim me 5.2 miliardë në 2018-2019 apo 4.5 miliardë në 2019-2020 për shkak të Kovidit.

Sfidanti.al