Verstapen është Sena i ri, Shumaheri i ri dhe Hamiltoni i ri!

Që nga sezoni i kaluar nuk kishte asnjë dyshim se holandezi do të ishte trashëgimtari i merituar i anglezit 37-vjeçar. Ljuis Hamilton mund të jetë i mërzitur për gabimin që bëri në Çmimin e Madh të Belgjikës duke u përplasur (për faj të tij) me Alonson, por mund të jetë i qetë sepse “stafetën” e ka lënë në duar të sigurta. Maks Verstapen po shkon i sigurt drejt titullit të dytë radhazi botëror në Formula 1, dhe fitorja në Spa-Frankorshamp thjesht ishte një konfirmim.  Piloti i Red Bullit u nis nga vendi i 14-të, por brenda 12 xhirove doli i pari dhe pastaj iu zhduk të gjithëve nga sytë. Pa u sforcuar shumë la 18 sekonda prapa shokun e ekipit, Sergio Perez, ndërsa Karlos Sainz i Ferrarit doli i treti me gati 27 sekonda vonesë. Piloti tjetër i Ferrarit, Sharl Lëklerk doli vetëm i 6-ti. “E falenderoj “ushtrinë portokalli” për mbështetjen, – u shpreh më pas Verstapeni, – do të shihemi sërish javën që vjen”.  Është fjala pikërisht për Çmimin e Madh të Holandës ku ai dëshiron të fitojë përpara tifozëve të tij.

Renditja e pilotëve: Verstapen 284 pikë, Perez 191, Lëklerk 186, Sainz 171, Rasëll 170, Hamilton 146.

Renditja e skuadrave: Red Bulli 475, Ferrari 357, Mercedesi 316.

Sfidanti.al