Reali fiton, por sa shumë dyshime në fushën e Espanjolit

Që Madridi mund të fitonte në atë stadium, kjo edhe pritej. Në fund të fundit, jo më kot Reali i Karlo Ançelotit është kampion i Spanjës dhe i Europës. Edhe që të kesh 3 fitore në 3 javët e para të kampionatit që i ke luajtur që të gjitha jashtë fushe, kjo gjithashtu vlen. Megjithatë, suksesi 3-1 në fushën e Espanjolit nuk është se bindi këdo, pavarësisht se madrilenët patën forcën e karakterit për të luftuar deri në fund. U desh një gol i Karim Benzemasë në 88’ që të rigjendej avantazhi dhe të shmangej një barazim i rrezikshëm. Nga ana tjetër, Espanjoli luftoi dhëmb për dhëmb, duke fituar më shumë duele, duke gjuajtur drejt portës thuajse njëlloj (15-17) dhe në kuadrat edhe më barabar (4-5). Kornet po ashtu ishin 7-7. Reali vërtet dominoi me topin, me 65 për qind dhe me 489 pasime ndaj 226 të vendasve, por shpesh kjo ishte shterpë. E rëndësishme ishte që u fitua dhe që Benzema shënoi 2 gola, ndërsa treshja e dikurshme e mesfushës Modriç-Kasemiro-Kros, u zhduk në pjesën e dytë.

Reali (4-3-3): Kurtua, Lukas Vaskez (Karvahal 85’), Militao, Rydiger, Alaba, Modriç (Kamavinga 58’), Çuameni, Kros (Sebajos 80’), Valverde (Rodrigo 58’), Benzema, Vinisius.

Sfidanti.al