Goditja për ekipin përfaqësues është e rëndë. Njëri nga lojtarët e saj më të mirë, njëri prej atyre që aktivizohej më shpesh, nuk do të jetë në ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve në shtator. Berat Gjimshiti, shtyllë e mbrojtjes, u dëmtua në ndeshjen që Atalanta e tij barazoi me Milanin në Serinë A fundjavën e kaluar. Futbollisti 29-vjeçar doli nga fusha e lojës në pjesën e dytë, dhe sipas mediave italiane do të duhet një kohë jo edhe aq e paktë për t’u riaftësuar. Flitet për 6 deri në 8 javë përpara sesa të luajë sërish, që do të thotë minimalisht një muaj e gjysmë, pra jo përpara javës së parë të tetorit.
Ky afat është përtej kohës në të cilën do të luhen dy ndeshjet e kombëtares në Ligën e Kombeve. Ekipi kuqezi luan në fushën e Izraelit në 24 shtator, ndërsa pret Islandën në 27 shtator për sfidën e fundit në këtë konkurrim. Në mungesë të Gjimshitit dhe me disa lojtarë që nuk po luajnë rregullisht, Shqipëria pritet ta ketë të vështirë të dalë në vend të parë në grup, madje rrezikon të mbetet e fundit, edhe pse nuk do të bjerë në nivelin C për shkak të përjashtimit të Rusisë. Dëmtimi I Gjimshitit I prish shumë punë edhe Atalantës, pasi ai ka qenë lojtar titullar dhe tepër I rëndësishëm këta vjet, jo vetëm në mbrojtje, por edhe me praninë në sulm duke shënuar disa gola.
Sfidanti.al