Tirana është kthyer në “bankë”, humb në fushë, por fiton miliona në biznes!

Në fushë nuk është se patën ndonjë sukses. Futbollistët e Tiranës u eliminuan në të gjitha sfidat që patën këtë verë në Champions e më pas në Ligën e Konferencës, por gjithsesi futbolli profesionist njeh suksesin edhe nga ana financiare. Pikërisht, nga ana ekonomike, klubi kryeqytetas pati një stinë të paharruar duke realizuar të ardhura-rekord. Pas rreth 1 milionë eurove që u fituan nga 4 ndeshjet në Europë, bardheblutë i shtuan fitimet me transferimet e disa futbollistëve. Ishin pikërisht 3 të tillë që kaluan në të njëjtin ekip, tek Vorskla e Poltavës në Ukrainë. Flasim për atë që është tashmë ish-sulmuesi kryesor i ekipit, Taulant Seferi, për Ardit Tolin dhe mesfushorin tjetër Enur Totre.

Besohet se shifra totale është mes 800 e 900 000 eurove, sipas asaj që shkruan e përditshmja “Panorama Sport”. Nga 400 000 deri në gjysmë milioni euro janë marrë nga kartoni i Seferit, 300 000 euro nga ai i Totres dhe 120 000 nga kartoni i Tolit. Futbollistët shqiptarë u aktivizuan ditën e djeshme në javën e parë të Premier Ligës së Ukrainës, ku Vorskla pësoi humbje 1-3 ndaj Zorias së Luhanskut në ndeshjen që u luajt në qytetin Uzhogorod, pranë kufirit me Sllovakinë dhe Hungarinë. Totre e Toli ishin titullarë, ndërsa Seferi zëvendësues sepse u bashkua me vonë me ekipin.

Sfidanti.al