E shprehu shqetësimin, edhe pse e kupton se ishte e pashmangshme. Për dy ditë me radhë, Luiza Gega mori vlerësime të larta nga qytetarët shqiptarë dhe autoritetet shtetërore, në dy ceremoni të zhvilluara më parë në Aeroportin e Rinasit e më pas në kryeministri. Kampionia e Europës në atletikë u nderua jo pak, mori një dekoratë të lartë, po ashtu premtimin për gradën e koloneles në Forcat e Armatosura si dhe shpërblime të shumta, ndërsa mendja e saj ishte e përqëndruar tek stërvitja. Në 2 shtator, Gega do të zhvillojë garën e fundit të rëndësishme në stadium të hapur, atë që do të mbyllë kalendarin e Ligës së Diamantit. Në stadiumin “Mbreti Boduin” të Brukselit, atletja shqiptare do të përpiqet të ulë rekordin kombëtar, njëkohësisht edhe rekord i Ballkanit, që për momentin e ka vetë me kohën 3’10”04. Ajo e shprehu shqetësimin se dy ditë të ngarkuara me ceremoni mund ta pengojnë. “Kjo më nxjerr nga regjimi dhe më prish punë, – tha ajo, – por, nuk e shmangim dot”. Gega ka si qëllim ta mbyllë në mënyrën më të mirë këtë vit, në të cilin doli kampione e Ballkanit, e Mesdheut dhe e Europës, si dhe arriti vendin e pestë në Kampionatin Botëror në Oregon të SHBA-së ku vendosi edhe rekordin e ri kombëtar e ballkanik.
Sfidanti.al