Man. Junajtid, fitore si të Murinjos ndaj Liverpulit, por edhe kështu është lajm i madh!

Një skuadër që u shkatërrua 0-9 nga të kuqtë sezonin e kaluar dhe u turpërua, u duk se gjeti vetveten në momentin më vendimtar. Përballja me Liverpulin në “Old Traford” i shërbeu Mançester Junajtidit, jo për t’u justifikuar për gjendjen në të cilën ndodhej, pas dy disfatave të para në Premier, krizës me Ronaldon dhe kryengritjes së tifozëve. Në të kundërt, të besuarit e trajnerit Erik Ten Hag, gjetën ekuilibrin psikologjik dhe taktik, gjetën forcën për të reaguar në buzë të greminës. Fitorja 2-1 ndoshta nuk do t’i nxjerrë nga “balta”, por mund të jetë fillimi i diçkaje krejt tjetër nga kjo që jemi mësuar të shohim këto kohë.

Me të vërtetë fitorja ishte si ato të Murinjos, duke i lënë kundërshtarit 70 për qind të zotërimit të topit, duke pasur shumë më pak gjuajtje sesa ekipi i Jurgen Klopit (12-17) dhe madje më pak gjuajtje në portë e më pak korne, padyshim më pak pasime. Jo më kot, Ten Hagu tha se “nuk fitoi taktika, por mentaliteti”. Vetëm kjo gjë vlen të theksohet nga Man. Junajtidi i mbrëmjes së të hënës së 22 gushtit 2022. Ndoshta lojën e mirë, Ten Hagu do t’ia dalë ta zhvillojë më vonë sepse duhej një provë për të bindur veten dhe për të krijuar respekt tek rivalët. Sanço shënoi në 16’ dhe Rashford dyfishoi shifrat në 53’, ndërsa për miqtë nuk mjaftoi goli i Mo Salahut në 83’.

Man. Junajtid (4-2-3-1): De Gea, Dalot (Uan-Bisaka 86’), Varan, Martinez, Malasia, Eriksen (Van de Bek 86’), Mektominai, Sanço (Fred 71’), Bruno Fernandes, Elanga (Marsial 45’), Rashford (Kristiano Ronaldo 86’).

Liverpuli (4-3-3): Alison, Aleksandër-Arnold, Gomez, Van Dajk, Robetson (Cimikas 85’), Eliot, Henderson (Fabinjo 59’), Milner (Karvaljo 73’), Salah, Firmino, Diaz.

Sfidanti.al