Nga Sadiku e Uzuni, deri tek Kabashi e Mehmeti, sa shumë gola shqiptarë në Europë!

Fundjava ishte e mirë, edhe pse u luajt në nivele të ndryshme. Futbollistët shqiptarë shënuan gola dhe shërbyen asistë për ekipet e tyre në ligat europiane, që nga elita deri në kategoritë më poshtë. Në Spanjë ishte radha e Armando Sadikut që të shënonte në ligën e dytë, në fitoren 3-2 që Kartagjena arriti në fushën e Hueskës. Ishte një ndeshje shumë e fortë që po shkonte drejt barazimit, dhe u desh minuta e 8-të shtesë që sulmuesi veteran shqiptar t’i jepte fitoren miqve, e para në këto dy javë të kampionatit.

Po në ligën e dytë të Spanjës shkëlqeu sulmuesi tjetër, Myrto Uzuni. Futbollisti i kombëtare shënoi golin e dytë për Granadën, në suksesin 2-0 kundër Rasingut të Santanderit. Uzuni shënoi një nga golat më të bukur të fundjavës në Spanjë.

Arian Kabashi shkëlqeu me të vërtetë në Suedi duke qenë më i miri për ekipin e tij, Helsingborgs. Futbollisti shqiptar mori notën 8.5 sepse shënoi gol dhe shërbeu asist në fitoren 2-1 të skuadrës së tij në elitën e futbollit suedez, Allsvenskan, arritur në fushën e Sundsvallit. Anis Mehmeti ishte protagonist në ligën e parë të Anglisë, për Uajkombi Uonderersin. Mehmeti kaloi në avantazh ekipin e tij në minutën e 37-të, në suksesin 3-0 arritur në fushën e Barnslejt.

Vlerësime të larta për futbollistë të tjerë kuqezinj që luajnë në Itali, si Ardian Ismajli që u tregua i fortë në barazimin 0-0 të Empolit në shtëpi ndaj Fiorentinës, ndërsa të dalluar ishin edhe Kristjan Asllani për Interin e Berat Gjimshiti për Atalantën.

Sfidanti.al