Iu desh kohë, por më në fund ia doli. Ernest Muçi është kthyer në një personazh të rëndësishëm në futbollin polak, dhe pas ndeshjeve të javës së 5-të është përfshirë në formacionin e javës të kampionatit. Sulmuesi 21-vjeçar ishte protagonist i madh për Legian e Varshavës në fitoren 2-1 në fushën e Vidzevit të Lodzit. Futbollisti i kombëtares shqiptare ishte autor i të dyja asisteve që sollën golat duke qenë vendimtar për ekipin nga kryeqyteti. Kjo ishte thjesht paraqitja e madhe e radhës për ish-lojtarin e Tiranës. Kjo sepse Muçi ka deri tani 2 gola dhe 2 asiste gjithsej në elitën e futbollit të Polonisë.
Sulmuesi kuqezi realizoi në javën e parë, në barazimin 1-1 në fushën e Koronës së Kielces, duke dhënë shenjën se çfarë duhej të pritej prej tij. Muçi u përsërit në javën e kaluar, atë të 4-ën, në fitoren 2-0 që të mbiquajtur “ushtarakët” apo “legjionarët” e arritën ndaj Piastit. Shqiptari shënoi golin e parë. Legia është në vendin e katërt në Superligën me emrin Ekstraklasa, por vetëm tri pikë larg vendit të parë që mbahet nga Visla e Plockut. Muçi e fitoi një titull në 2021 me ekipin e Varshavës, dhe shpreson që të marrë të dytin, veçse këtë herë duke qenë shumë më i rëndësishëm.
Sfidanti.al