Që nuk e kanë qejf njëri-tjetrin, kjo është e qartë, por edhe që klubi ka bërë gjithçka për të qenë në këtë situatë, edhe për këtë nuk dyshon kush. Kriza mes Kilian Mbapesë dhe Nejmarit ka dalë sheshit në Francë dhe Paris SG duket se do të vuajë pasojat e rënda të gjendjes kur ke “dy gjela në një kafaz”. Flasim për “gjela të mëdhenj futbolli”, për ego tepër të mëdha, dhe as një njeri i hekurt si trajnerit Kristof Galtie nuk pritet të jetë në gjendje ta zgjidhë situatën. Lojtarë si Mbape apo Nejmar nuk pyesin as për trajnerin, dhe janë gati të djegin ekipin për të dalë e vetja. PSG pritet të ketë një “mbledhje krize”, ku do të marrin pjesë Galtie, besohet drejtori Kampos apo ndoshta edhe presidenti Al Helaifi, si dhe dy sulmuesit. Nuk dihet nëse do të arrihet ndonjë pajtim, por edhe nëse do të ndodhë kështu, do të jetë thjesht një “armëpushim i përkohshëm”.
Sfidanti.al