Ndërsa Partizani i tij vuan për të shënuar gol në ndeshjen delikate si ajo me Kukësin, vetë presidenti Gaz Demi, kur përballet me kundërshtarin “ e frikshëm” të presidentëve, pronarin e lojës, Duka, e dërgon topin në trekëndëshin e portës zyrtare. As më pak e as më shumë, fjalët e tij , tashmë, kanë zënë vënd në muzen e akuzës: “Partizani nuk mund të nënshtrohet nga disa rrugaçë në FSHF. Dënimi i tifozëve është vazhdimi i maskaradës”. Akuza e Gaz Demit ka bërë xhiron e kurajës në Superligë, në fillim ka mbërritur në korridoret e Federatës, më pas ka marrë rrugët e Europës, duke arritur tek presidenti i “emigruar” prej javësh, në kërkim të votës për të futur kokën brenda në UEFA. Duket e pabesueshme, por është tejet e vërtetë, se sa më keq djallosen punët në Superligë, akuza dhe superakuza midis ekipeve dhe presidentëve, aq më shumë vota siguron presidenti ynë. Siç duket, ka një strategji eksperimentale edhe nga UEFA për futbollin shqiptar.Si duken bathët, loja sa më shumë të ngjasojë me një funeral që fshihet pas topit, aq më shumë binden aktoret e lartë se themeluesi i këtij futbolli e meriton Europën.
Dëgjoni fjalët e arta të presidentit të FSHF, që mbërrijnë nga shteti X ku po lobon, si përgjigje për akuzat e “Demit të kuq”: “ Po është e vërtetë. Jam punëtor dhe kritikat sjellin zhvillim”. Shumë vetë kanë mbetur pa frymë nga kjo përgjigje europiane e shefit, madje e krahasuan me një gol i pastër në një futboll të pisët, ku edhe maviola më cinike do të dorëzohej. Sidoqoftë, presidenti Demi duhet të ndihet i ngushëlluar edhe pse mori një përgjigje false, sepse, për hir të së vërtetës, fjalët e një presidenti tjetër kanë qënë goditja e nokautit. Me frikë se mos na dëgjon bota, po përsërisim fajëlt e Laskës, presidentit të Laçit : “ Vllaznia do të fitojë me Luftëtarin dhe golin do të bëjë Shtubina!” Po tani, e besoni se kampionati ka mbaruar në kokën e presidentit tonë, pale.. qënkan paracaktuar edhe shënuesit e golave dhe minuta kur “vritet” ndeshja. Këto marifete mund realizohen vetëm nga një “punëtor mëndjehollë”, ndaj edhe UEFA mezi e pret që ta shpëtojë nga gremina ku po bie futbolli i tij.
Sfidanti.al