Dita e madhe duhet të jetë kjo e sotmja, pikërisht ajo kur duhet të ndodhë “closing”, pra shitja përfundimtare e aksioneve të Milanit tek miliarderët kinezë. Akordet dihen, pasi janë paguar 200 milionë euro më parë, dhe duhet të jepen 320 milionë të tjerë, plus 100 milionë për kosto të ndryshme. Veçse, siç ka ndodhur gjatë këtyre muajve, historia është kthyer në “telenovelë” dhe Milani është dëmtuar jo pak në prestigj. Cilët janë këta kinezë që, ndryshe nga ata që investuan tek Interi, nuk janë as shumë të njohur, dhe mesa duket as shumë seriozë, ose që fshehin diçka?
Në Itali nuk dinë çfarë të thonë, përveçse që “Berluskoni është bërë ultimativ, kërkon ose paratë, ose do ta mbajë Milanin për vete”. Administratori i tij i deleguar, Adriano Galiani, ka folur në mënyrë lakonike: Unë nuk flas për këtë temë, dita e enjte është heshtje zgjedhore (meqë “closing” duhet të bëhet sot, të premten)”. Një fjalë nga ish-lojtari dhe ish-trajneri Fabio Kapelo. “Më vjen keq për situatën e Milanit, – thotë ai, – kam folur edhe me Van Bastenin e Ibrahimoviçin, edhe ata janë të mërzitur. Më vjen keq që Berluskonin nuk e shoh më atë njeriun agresiv dhe të vendosur që tërhiqte gjithë të tjerët me vete”.
Sfidanti.al