Diferencat duket se vazhdojnë të rriten. Dakord, Reali i Madridit është skuadra më e famshme e futbollit botëror, por një Juventus kurrë nuk ka qenë një pengesë e lehtë. U duk krejt ndryshe në përballjen e fundit mes dy ekipeve në Los Anxhelos. Gjigandët spanjollë, kampionë të Spanjës dhe të Europës në fuqi, u dukën sikur zhvilluan një tjetër seancë stërvitore, ndërsa në përbërje të ekipit janë yje të tillë si Benzema, Modriç, Kros, Vinisius, Kurtua, Alaba apo edhe Hazar, Kamavinga apo Çuameni. Përballë tyre, një Vlahoviç, një Aleks Sandro apo edhe Di Maria u duken pak, dhe shtylla e ekipit ishte kapiteni Leonardo Bonuçi. “E përfunduam këtë fazë përgatitore me një paraqitje shumë të mirë, – tha Ançeloti, – ne treguam përmirësim në krahasim me ndeshjen e kaluar. Në të vërtetë, jemi të përqëndruar tek Superkupa e Europës. Jemi stërvitur mirë, dhe lojtarët kanë marrë minuta. Jam shumë i lumtur që gjithçka përfundoi mirë, pa dëmtime të mëdha”.
Sfidanti.al