Udhëtimi ishte i ngjashëm me ata legjendarët të kohëve të Homerit. Një skuadër shqiptare si Laçi kërkonte kualifikimin në Ligën e Konferencës, por megjithatë klubi zgjodhi të ulte shpenzimet dhe t’i niste drejt Moldavisë, ashtu si Odiseu (apo Uliksi) udhëtoi nga Troja për në Itakë. Nuk u deshën 10 vjet si prijësi legjendar grek, por dy grupet hoqën “picir” me itineraret Tiranë-Selanik-Çisinau dhe Tiranë-Podgoricë-Çisinau. Në fund, u deshën edhe 26 orë në aeroport të 3 lojtarëve afrikanë që nuk kishin viza për të hyrë në Moldavi. Ata u bashkuan me ekipin vetëm 7 orë para ndeshjes së të enjtes në 19:00. Imagjinoni sesi mund të ndiheshin në fushë ata lojtarë, por sërish e morën barazimin edhe pse me 10 lojtarë. Duro e cilëson “barazim heroik” që meriton të gjithë lavdërimet. Sot, kurbinasit janë favoritë për kalimin e turit, veçse trajneri thotë se duhet shumë kujdes sepse Petrokubi është ekip që mbrohet shumë mirë.
Sfidanti.al