Luiza Gega, objektivi ambicioz në Botëror është vendi i 5-të dhe rekordi kombëtar!

Fjalën medalje nuk duan që ta përmendin. Për Luiza Gegën dhe trajnerin e saj, Taulant Stërmasi, është e ndaluar të mendohet për të arritur në podiumin e Kampionatit Botëror në Oregon të Shteteve të Bashkuara, por gjithsesi synimet janë ambicioze. Pas paraqitjes shumë të mirë në gjysmëfinale në 3 000 metra me pengesa, duke arritur kualifikimin direkt për në finale, Gega mund të pretendojë pa frikë për vendin e 6-të me rezultatin e arritur, 9’14’91. Ajo është vetëm 62 të qindat larg rekordit kombëtar që e mban po vetë dhe që e vendosi në Lojrat Mesdhetare, dhe nga krahasimi i rezultateve të rivaleve në garën e së enjtes, ajo është pikërisht në pozicionin e gjashtë.

Trajneri Stërmasi thotë se nuk është realiste të pretendohet për medalje, ndonëse një garë e tillë kurrë nuk mund të parashikohet, dhe të papriturat mund të ndodhin, për mirë apo për keq. E rëndësishme sipas trajnerit është fakti se Gega e përfundoi gjysmëfinalen mjaft e freskët, pasi iu bë prova testi i laktashit që tregoi se lodhja ishte në nivele shumë të ulëta, madje më të ulëta sesa normalet. Kjo do të thotë se kampionia 33-vjeçare shqiptare është në formë të shkëlqyer. Objektivi për Gegën është të dalë më mirë se vendi i gjashtë, pra e pesta apo e katërta dhe të vendosë rekordin e ri kombëtar. Sa për krahasim, në Botërorin e kaluar, ajo u bë e para atlete shqiptare që u kualifikua në një finale, ndërsa doli e 9-ta në rruzull.

Sfidanti.al