Dibala tek Roma e Kumbullës, ylli i argjentinasit bie ndjeshëm pas 7 viteve tek Juventusi!

Padyshim është njëri nga më të talentuarit e këtij brezi. Gjithsesi, diçka nuk ka shkuar mbarë për Paulo Dibalën dhe ylli argjentinas që u nda mes lotëve nga Juventusi, pasi kaloi 7 sezone në Torino, u refuzua me edukatë nga Interi e Milani, e kështu përfundoi tek Roma. Mediat italiane informojnë se Dibala arriti akordin me klubin kryeqytetas të Serisë A, mbi bazën e 4 milionë eurove në sezon, për një kontratë 3-vjeçare. Dibala do të ketë 100 për qind të drejtën e imazhit të tij, diçka që Roma pranoi t’ia jepte përderisa nuk mund t’i paguante 8 milionë euro në sezon si Juventusi apo 6 milionë euro si Interi.

Argjentinasi 28-vjeçar mbërriti pa vonesë në Portugali për të firmosur akordin, sepse pikërisht aty ndodhet skuadra e Zhoze Murinjos në fazë përgatitore. Në vendimin e Dibalës ndikoi shumë vetë Murinjo, legjenda romane Françesko Toti si dhe pronarët e klubit. Tashmë, sulmuesi do të luajë në një ekip ku ndodhet edhe qendërmbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla. Murinjo është ambicioz dhe do të synojë kualifikimin të paktën në Champions, si dhe të fitojë trofe në Europë dhe në Itali, pasi ia doli sezonin e kaluar të merrte Ligën e Konferencës.

Sfidanti.al